Time Crisis 2
(2001)
Me Time Crisis 2 unë jam prezantuar jashtë vendit. Kur e pashë këtë titull në dyqan më shkëlqyen sytë, por u shuan sërish mbasi dallova çmimin. Ishte rreth 100 euro. Së bashku me lojën origjinale, shitej edhe pistoleta. Asokohe ishte një investim të cilin nuk isha i gatshëm ta bëja. Për më tepër, përveç serive Crisis, lojërat e tjera ku mund të përdoret pistoleta, nuk janë edhe aq të arrira.
Kjo hyrje u shkrua pasi u ktheva në një poligon qitjeje. Ndërsa miku im i mirë kriste glokun e tij (ku çdo fishek paguhej), mendova me vete sesa me fat jemi ne të tjerët që kemi pasur mundësinë të qëllojmë pa rrezikuar gjë hiç në ekranin e televizorit, me një kosto të ulët fare. Kjo sepse mbasi blije pistoletën prej plastike dhe diskun e lojës, ajo që vinin pas, ishin orë të tëra gjuajtje pa limit. Dhe Time Crisis 2 kishte plot vlera përsëritëse.
Që nga dy lojërat e para në PSOne, Time Crisis pra seria e parë fare dhe Time Crisis: Project Titan, seria e dytë sjell goxha të reja. Së pari kemi dy lojtarë që luajnë njëkohësisht. Së dyti ka armë të ndryshme si shotgan dhe automatik. Së treti lojtarët ndërthureshin në skena të ndryshme. Ndryshime të tjera kishte gjithashtu, por kush i përmend të gjitha... ndoshta na duhet të përmendim grafikët?
Loja vetë është publikuar në arkade kohë më parë. Po flasim për vitin 1997. Kështu kur erdhi në PS 2, zhvilluesit kishin plot 4 vjet për të bërë diçka më shumë me versionin e PlayStation. Dhe kështu bënë sepse versioni në platformën me librarinë më të larmishme të të gjitha kohërave kishte shumë më tepër se versioni arkade.
Historia fillon në momentin kur loja është publikuar për herë të parë në vitin 1997 dhe përfshin kompaninë Microsoft në përpjekjen e saj për të pushtuar botën. Një kompani e madhe lëshon disa satelitë në hapësirë për një rrjet unifikues komunikimi. Një agjente e V.S.S.E (agjentët që lojtari do marrë në komandë i përkasin kësaj njësie) zbulon se rrjeti i komunikimit është në fakt një sistem balistik ndërkontinental për lëshim raketash atomike. Agjentja përpiqet të nxjerrë informacionin për te kolegët e saj, por ndalohet ndërkohë nga zagarët e NeoDyne. Që aty fillon një ndjekje këmba këmbës e dy lojtarëve për të shpëtuar kolegen e tyre, për të gjetur satelitin në një tren në lëvizje dhe për tu ndeshur me drejtorin e kompanisë.
Fundi është pak klishe me shpërthimin e raketës që do kontrollonte satelitët. Në fakt e gjithë zona hapësinore shpërthen.
Comments
Post a Comment