Shadow of Rome
Ky titull është një nga ato eksperimentimet e Capcom që kompania thjeshtë dëshiron ta lejë në harresë; fansat gjithashtu. Hija e Romës ishte një nga ato lojërat dualiste, ku te njëra pjesë e lojës kishte gjak e dhunë me shumicë, ndërsa te pjesa tjetër mekanizmat e lojës ndryshonin komplet në një qetësi bezdisëse. Ky titull ishte i tillë.
Duke propozuar një version historie jo shumë ndryshe nga filmi “Gladiatori,” ngjarjet zhvilloheshin mbas vdekjes së narcisit Jul Cezar. Babai i personazhit kryesor me emrin Agripa përfshihet në komplot dhe akuzohet për pjesëmarrje në vrasje. Nëna e tij gjithashtu dënohet padrejtësisht me vdekje. Gjenerali Agripa vetë burgoset, për tu hedhur më pas në arenën e dhunshme të gladiatorëve. Ndërsa Agripa vret e pret në Kolose, Oktavi, një tjetër hero në lojë, ndjek një rrugë tjetër të qetë gjatë tentativës së tij për të zbuluar të vërtetën. Historitë e tyre ndërthuren për një finale pozitive.
Loja është zhvilluar dhe publikuar nga Capcom e cila njihet si një kompani serioze. Grafika dhe mekanizmat e lojës luanin rrjedhshëm në çdo sekondë me disa probleme të papërfillshme aty e këtu. Loja ngjante mirë fare në PS 2.
Admiruesit e historisë së Romës së lashtë do gjejnë padyshim disa panorama interesante të riprodhuara sipas mbetjeve reale gjetur nga arkeologët ndër vite.
Mua personalisht nuk më pëlqeu fare loja pa ndonjë argument konkret për të prezantuar, por nuk mund ta mohoj se në kuadrin e lojërave historike, kjo është një nga ato më të arrirat.
Comments
Post a Comment