Ace Combat 4 Shattered Skies
(2001)
Në Ace Combat 4 kishte gjithçka gjë të bukur ndodhur edhe te Ace Combat 3, plus shumë më shumë avionë dhe një histori. Ideja është që edhe AC 3 kishte një histori, por nuk u publikua dot kurrë si në SHBA, si në Evropë për arsye që i di vetëm Namco. E bëj këtë krahasim jo rastësisht, por sepse misioni i parë i të dyja lojërave përfshin ndalesën dhe shkatërrimin e disa bombarduesve dhe nuk mund të mungojë gjithmonë misioni për të prishur godinën e radarit te të dyja.
Bisedat në radio janë edhe këto më të shpeshta në titullin e katërt.
Asat e Luftimit rikthehen edhe një herë në misionet e tyre të rrezikshme e që ndikojnë gjithë fatet e luftës. Ndryshimi kësaj radhe janë detajet që zhvilluesit fusin në seri. Ndodhitë fiktive tregohen me mjeshtri nëpërmjet paneleve të animuara dhe një letër që një burrë pa emër ia adreson lojtarit, një elitë midis aseve të qiellit.
Kësaj radhe, lojtari ndodhet në anën humbëse. Një aleancë shtetesh të lira dalin kundra një regjimi agresor me qëllime tepër ambicioze.
Një meteor me kodin “Uliksi” rrezikon botën. Për ta ndaluar atë, ndërtohet një armë vdekjeprurëse. Meteori goditet me sukses, por jo pak prej fraksioneve të tij bien në tokë duke shkaktuar dëme të paimagjinueshme. Pas këtij evenimenti, kontinenti i Eurasias përfshihet në regjim militarist dhe arma shpëtuese e njerëzimit, shndërrohet në një tmerr të vërtetë për avionët luftarak. Falë kësaj arme, armiku zotëron qiejt dhe aleanca e shteteve akoma me ndjenjë lirie, ka përfunduar e izoluar në një bazë në veri që ngjason shumë me Islandën.
Mision pas misioni, lojtari shemb pak e nga pak fuqinë ushtarake të Eurasias duke ndryshuar fatet e luftës.
Një gjë e lezetshme që do gjeni te kjo lojë është padyshim një risi, shtimi Aseve. Këta të fundit ndodhen të fshehur në hartë, pak të vështirë për tu identifikuar, dhe lojtari jo vetëm duhet t’i gjejë por edhe t’i mposhtë që në vështirësinë maksimale mund të jetë një mundim i vërtetë.
Si një simulim gjysmë real, edhe një herë lojtarit nuk i duhet të mendohet gjatë për predhat. Një gjuajtës i vërtetë mund të mbajë disa raketa. Në lojë ekzagjerohet dhe një avion mund të mbajë mbi njëqind predha ajër-ajër ose ajër-tokë, dhe sigurisht plumba pa limit. Edhe një herë loja bën bebisiterin kur përpiqet t’i mbushë mendjen lojtarit se njëri avion është më i mirë se tjetri në një mision të dhënë.
Kjo lojë mund të luhet shpesh vazhdimisht, pasi ka gjithnjë një shpërblim të majmë në fund të një misioni të suksesshëm. Në fakt nëse doni vërtet të shikoni të gjithë avionët (disa fiktiv, disa realë), do ju duhet të vazhdoni edhe më gjatë mbasi e keni mbyllur lojën.
Në fund mund të themi se për ata që kanë luajtur AC 3, AC 4 është thjeshtë një përmirësim. Por si të gjithë simulatorët, edhe ky i fundit tërheq vetëm një audiencë të zgjedhur dhe vështirë se mund të bëjë më tepër se aq.
Comments
Post a Comment