Tales of Symphonia
(2003)
Trashëgimtarja e Tales of Phantasia, një nga lojërat më të mira në Super Nintendo dhe një nga Jrpgtë më origjinale në PSone, nuk zhgënjen aspak duke ruajtur traditën e të parës. Për fat të keq, seria e Tales ka njohur një bum shitjesh vetëm në Japoni dhe është përgjithësisht injoruar gjetkë. Tales of Symphonia është një Jrpg gjenerike jo shumë e ndryshme nga simotrat e saja, por gjithmonë duke pasur elemente origjinale ndodhura vetëm në këtë seri.
Versioni origjinal u lëshua në GameCube, megjithatë shumë shpejtë do vinte edhe në PS 2. Pavarësisht kohës, loja është plakur goxha mirë dhe seria e Tales vazhdon edhe sot.
Ashtu si dhe Tales of Phantasia, gjithçka rrotullohet rreth manës, energjisë së planetit që përdoret gjerësisht në përdorimin e magjive. Jo vetëm, sasia e pakët e manës demonstron edhe shëndetin e planetit. Ashtu sikurse edhe bota në Final Fantasy 7, Silverant (vendi ku zhvillohen ngjarjet) po vdes dalëngadalë. Një grup adoleshentesh e gjejnë veten shumë shpejtë nën peshën e rëndë të detyrës për të kuptuar se çfarë dreqin po ndodh dhe sesi të mbajnë akoma në jetë një planet që po vdes.
Fillohet me dy heronj, e gjatë rrugës takohen të tjerë, me një kast prej katër personazh në përgjithësi, të cilët mund t'i jepen komanda të caktuara. Pasi të keni arritur një nivel të kënaqshëm, as nuk do keni nevojë t'i ndryshoni më këto komanda (mendoni për sistemin Gambit në Final Fantasy 12).
Me një stil tipik anime, Përralla Simfonike e hedh lojtarin në një botë tre dimensionale, ku nuk ka beteja të rastësishme, por lojtari i shikon dushmanët dhe mund t'i shmangë ata shumicën e kohës. Me progresin e lojës, progresion ka edhe historia e mistershme e Silverant nën tone humori dhe evenimentesh të papritura. Zgjedhjet e lojtarit kanë ndikim në fund, por historia është pak a shumë lineare.
Seria ruan nga paraardhësja aftësinë për të thirrur në betejë elementë të ndryshëm përftuar gjatë lojës, statuse që ngrihen në bazë të performancës dhe një AI që e bën punën ashtu si duhet.
Comments
Post a Comment