Rule of Rose

 

(2006) 

Pafajësia mund të krijojë rregulla absurde.

Zgjedha e Trëndafilit është një lojë e errët në librarinë e madhe të PlayStation 2, kujtuar kryesisht për artikullin e paskrupujt të një reviste “prestigjioze” italiane, e cila e shpiku nga mendja e vet historinë. Sipas revistës “Panorama” fitonte lojën ai që varroste vajzën e vogël. Por fundja gazetarët nuk janë aty për të treguar faktet, apo jo? Disa të tjerë më pas vazhduan të riprodhonin në të njëjtën mandër bazuar te artikulli i parë, bazuar te një filmim i lojës.

Sidoqoftë, Rule of Rose mund të kishte qenë një Silent Hill 2 e dytë, por nuk ndodhi kështu.

Në autobusin e zbrazët, Xheniferit i afrohet një djalosh i cili i kërkon të përfundojë historinë. Ashtu si dhe Xheims Sutherland (personazhi i Silent Hill 2), personazhi kryesor i lojës ka kujtime që janë fshirë nga sipërfaqja e koshiencës. Kështu fillon udhëtimi i vajzës në të shkuarën e saj; jetimorja ku ajo qe rritur bashkë me Rozën. Meqenëse pak prej jush do kenë durimin ta përfundojnë (dhe loja kërkon durim derri) mund edhe t’iu tregoj fundin e historisë.

Prindërit e Xhenifer ndërmarrin një udhëtim me balonë por kjo e fundit përplaset në një zonë rurale (Anglia e viteve 1930 për aq sa dihet). Vajza si e vetmja e mbijetuar, gjendet nga një person me të meta mendore i cili e rrëmben duke e menduar si djalin e tij të humbur. Roza (emri i të cilës është Uendi) e zbulon Xheniferin të mbyllur në një dhomë dhe duke u veshur si djalë e bind të sëmurin mendor ta lërojë vajzën. Xhenifer mbërrin kështu në jetimore vetëm se bie nga shiu në breshër me thënë të drejtën. Shpejt ajo njihet me fëmijët që bëjnë disa lojëra të çuditshme. Dështimi i objektivit sjell ndëshkime po aq të çuditshme si për shembull fërkimi i një miu gjirizesh, futja në një makineri distilerie me insekte brenda, etj. Xhenifer nuk dekurajohet e në mes të kësaj çmendurie pasi për ta mbajtur të fokusuar është Broun, një kone që vajza zotohet se do e mbrojë e do e ushqejë gjithmonë.

Roza ishte mbretëresha e një grupi jetimësh që kryenin lojëra për tu përballur me kohën e fëmijërisë të vetëquajtur aristokratët. Mirëpo Roza ishte obsesive. Kur Xhenifer filloi të tregonte kujdes për Broun gjetur rastësisht dhe më në fund kundërshtoi autoritetin e shoqes së saj më të ngushtë, marrëzia e Rozës arrin kulmin. Roza ishte xheloze për qenin Broun dhe i bind aristokratët (pra jetimët e tjerë) ta vrasin konen. Këtu miqësia e saj me Xheniferin thërrmohet. Xhenifer nuk mund ta tolerojë këtë gjë. Ajo pranon se mund të toleronte lojërat e tyre absurde, por jo vrasjen e një qeni. Jetimët e tjerë zgjedhin Xheniferin tashmë si mbretëreshën e tyre. Roza si Maria Antonieta, nëse ajo do binte, do i merrte të gjithë me vete. Edhe një herë Roza vishet si djalë, shkon te budallai i fshatit dhe e bind sërish se është i biri i humbur. Më pas ajo e manipulon atë dhe ai shkon e vret çdokënd në jetimore. E vetmja e mbijetuar, Xhenifer, vendos ta fshijë atë kapitull nga memoria e saj.

Loja ka gjithsej tre bosë dhe dy funde alternative. Fundi përftohej duke hapur menynë ku ju zgjidhnit një pistoletë dhe ose qëllonit bosin e fundit, ose ja jepnit pistoletën atij e ai qëllonte veten. Historia është pika më e fortë e lojës, por vetëm kaq ofron ky titull. Loja më shumë ka të bëjë me udhëtimin sesa me stacionin.

E vërteta është se Rule of Rose është një lojë tepër e mërzitshme. Ka gjëra për të mposhtur në lojë, disa përbindësh të zinj si fëmijë me ca zëra acarues, por ata janë aty vetëm sepse loja duhet të ketë diçka për të vrarë. Shumica e lojës shtyhet duke kryer misione të rëndomta për aristokratët, si gjetja e një fluture blu, gjetja e një sirene dhe të tilla objektiva të mërzitshëm. Qeni që takon lojtari rrugës, besniku Broun, nuk i përmirëson shumë gjërat. Ai mund të nuhasë sende por jo radhë do përfundoni nga ana tjetër e hartës për një biskotë që s’do ju shërbejë shumë në lojë. Karikimi i një skene gjithashtu rezulton i mundimshëm nëse futeni gabimisht në një derë që nuk duhet. Në fund harta e komplikuar e ndonjëherë jo korrekte është ajo që do ju bëjë ta flakni diskun tutje. Të paktën të kishte mekanizma të thjeshtë si Hounting Ground, një lojë e ngjashme në koncept, por tepër më e arrirë.

Publikuar edhe në blogun Gramelot.

Comments

Popular posts from this blog

Dragon Quest VIII: Journey of the Cursed King

Bloody Roar 4

Final Fantasy 11