Metal Slug 6
(2006)
Viti 2006! Kanë kaluar tre vjet që nga MS 5. Bota është në paqe...
Tashmë stafi i ka mbledhur mendtë dhe është gati të lëshojë serinë e gjashtë run & gun. Duke arsyetuar mbi dy seritë paraardhëse të pasuksesshme, dikujt i lind ideja që të risjellin sërish në skenë idenë e vjetër funksionale të historisë së alienëve. Megjithatë nuk mjafton vetëm historia, duhen disa ndryshime të ndjeshme... Besojmë se këto ishin mendimet që i drejtuan zhvilluesit në prodhimin e serisë së gjashtë. Me të vërtetë MS 6 solli disa risi të cilat ndikuan për mirë. Së pari prezantoheshin dy personazhe të rinj, Karli dhe Ralfi nga Luftëtarët Ikari (pra mund të zgjidheshin gjashtë lojtarë në total). Çdo lojtar kishte veçorinë e tij duke e dalluar atë nga të tjerët (shumë i pëlqyeshëm sidomos ndryshimi i Fiolinës pasi e fillonte lojën gjithmonë me Havy Machinegun dhe çdo armë e marrë gjatë lojës kishte më shumë municion se të tjerët). Lojtari tashmë mund të mbajë dy armë. Kjo ishte ideale për ata që dëshironin të ruanin laserin për momente të vështira. Këto risi ishin surpriza të këndshme për të gjithë fansat e serisë. Madje edhe butoni i gjuajtjes së veçantë ishte funksional kundra të gjithë atyre armiqve.
Historia gjithashtu ishte e këndshme. Për ata besnikë të serisë, padyshim që ngjarjet në lojë u perceptuan si dezhavu. Morden së bashku me marsianët, edhe një herë pajtohen së bashku. Ndërkohë që këto dy armata po nxirrnin trurin alien (të mposhtur në MS 3), një racë tjetër aliene sulmon si njerëzit ashtu edhe marsianët. Ushtarët njerëzor thjeshtë vriten ndërsa marsianët përdoren si ushqim për mysafirët e pa ftuar. Të ardhur në tokë me anë të një meteori, antagonistët e rinj të serisë janë një kërcënim për të gjithë. Planet e marsianëve për të pushtuar botën përmbysen duke u kthyer në një makth. Problemi i tyre është si të shpëtojnë lëkurën. Aleanca midis Armatës X, marsianëve dhe forcave qeveritare ndihmon në mposhtjen e armikut të përbashkët. Historia është sa fiktive, sa fëminore, sa e këndshme, aq edhe ripërsëritur.
Slaget e reja janë zgjedhur bukur përveç njërit. Deri diku na erdhi për të qeshur kur filluam t’i gjuanim alienëve hipur mbi gomar. Kjo na pëlqeu shumë. Ishte ofrimi i slug-ut urith që nuk përshtatej fare. Në skenën e fundit loja ju detyron të përdorni një mekanizëm gërmues (urithi) për të kaluar (afërsisht në se jeni po aq të ngadaltë sa ne) çerek orarëshin më të bezdisshëm të lojës.
Jo vetëm që ajo skenë ishte e mërzitshme, por ndryshonte të gjithë formulën e lojës aq sa për një moment dyshuam se mos gabimisht po luanim lojën Dig Dug. Një tjetër dyshim na lindi kur pamë sistemin e monedhave (prezantuar edhe në MS X dhe MS 4). Monedhat si ato të Super Marios shtoheshin në vlerë në se kapeshin në mënyrë progresive. Megjithatë sistemi i pikëve nuk ka qenë pika më e fortë e serive ndaj s’po merremi shumë me të.
Sidoqoftë MS 6, përfshirë edhe në Metal Slug Complete/Anthology, ishte një eksperiencë e këndshme loje që i dha titujve sërish lavdinë e dikurshme.
Versioni i PS 2 ishte tepër më superior në shpejtësi se versioni në Nintendo Wii.
Comments
Post a Comment