Haunting Ground
(2005)(njohur edhe me titullin Demento)
Me ardhjen drejt fundit të serisë Clock Tower, pak a shumë një lojë që përcillte atmosferën e novelave të Dario Arxhentos, Capcom vendosi të prodhojë një lojë të ngjashme nën drejtimin e Noboro Sugimura (krijuesi dhe zhvilluesi i Resident Evil).
Në Haunting Ground ju nuk keni shumë arsenal për tu mbrojtur. Shumicën e kohës lojtari do e shpenzojë duke ia mbathur nga armiqtë e duke u fshehur në vende të parapërcaktuara shpërndarë në lojë.
Fiona Belli përfshihet në një aksident së bashku me prindërit dhe e gjen veten në një kështjellë të çuditshme me pak memorie rreth “aksidentit.” Rezulton më vonë se nuk është një aksident rastësor por një tentativë vrasjeje nga një i afërm i saj, i cili ka qëllime të errëta.
Lojtari ndiqet pas nga individë të ndryshëm, që për një arsye ose tjetrën duan diçka –jetën– nga vajza. Për shembull, ndjekësi i parë është thjeshtë një psikopat i cili mendon se Fiona është një kukull për të luajtur. E dyta është një shërbëtore që do të hajë mishin e vajzës që të mund të bëhet më tepër njerëzore. Janë dy personazhet e fundit sidoqoftë më të rrezikshmit. Ata duan eterin që vajza e ka trashëguar në lindje, një formë tjetër për të thënë se ata duan rininë e saj. I vetmi aleat besnik i vajzës, është një qen –tip qeni alpin pastor i bardhë borë– i cili ndërvepron vazhdimisht me vajzën dhe me komandë mund të vërsulet furishëm ndaj armiqve, ndërkohë që lojtari ia mbath diku në kështjellën e madhe për tu fshehur. Interaktiviteti me qenin e bardhë, emëruar Hui, është një pjesë e rëndësishme e lojës dhe mund të përcaktojë fundin e mirë ose të keq që merr lojtari në fund.
Shkelmi është pjesë e repertorit të lojtarit por nuk është shumë efektiv, por përdoreni shpesh kundra kaninit me emrin Hui, dhe do e nxehni mjaftueshëm për t’iu vërsulur edhe juve vetë.
Mes gjëegjëzave të vështira dhe rrugëve të komplikuara, ajo që e vështirëson akoma më tepër lojën është ndoshta modaliteti i panikut. Nëse Fiona merr tepër dëmtime ose kalon tepër kohë në arrati, ngjyrat shndërrohen në bardh e zi, dhe lojtari e ka tepër të vështirë të komandojë vajzën e cila hallakatet në këtë modalitet. Për të shmangur këtë gjë, lojtari mund të përdorë nja gamë të gjerë sendesh.
Loja ndoshta nuk u vlerësua edhe aq sa duhej. Gjynah sepse ky titull është vërtet i arrirë në zhanrin e horrorit. Suspansa dhe ambientet e kështjellës janë të mirë formuluara dhe krijojnë me sukses një gjendje ankthi konstante.
Si për kuriozitet mund të themi se loja ka referenca të shumta ndaj paraardhësve (titujve Clock Tower) dhe Hui, shfaqet edhe në lojën Resident Evil 4, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar kundra gjigantëve.
Comments
Post a Comment