God Hand

(2006)

God Hand është mbase mbreti i lojërave të llojit beat em’ up për PlayStation 2. Krijuar nga Clover Studio dhe nxjerrë në shitje nga Capcom në vitin 2006, Dora e Zotit është një lojë krejt sui generis. Edhe pse loja nuk ka marrë pikët maksimale nga kritikët e pakët që e kanë luajtur deri në fund, loja ka gjithçka që i duhet për tu bërë një titull kult mes titujve të llojit të saj. Për tu theksuar është se ky titull do të ishte i fundit i kësaj studioje (e njohur kryesisht për zhvillimin e lojës Okami).

Në fakt, nëse do kishim vlerësuar këtë titull duke luajtur vetëm disa orë, edhe ne nuk do i jepnim shumë pikë, por God Hand shpaloset pikërisht mbas orëve të para të antipatisë që një lojtar mesatar ushqen për thatësinë e saj; kuptohet se nuk është e thënë që çdo lojtar ta ketë përjetuar në të njëjtën mënyrë fillimin.

Loja, pasi shpalos paralajmërimin standard për përmbajtje skenash të dhunshme, fillon me një meny të thatë ku spikatet titulli “GOD HAND”. Më pas lojtari mund të zgjedhë nëse dëshiron të luajë “Easy” ose “Normal.” Modaliteti “Hard” del mbasi loja përfundohet të paktën një herë me sukses. Për disa persona modaliteti “i lehtë” mund të duket i papërshtatshëm sepse mund të heqë “lezetin”, megjithatë për lojtarët mesatar, kjo mund të jetë mënyra më e mirë për tu futur në botën e përgatitur pa shumë lustër nga Clover Studio.

Dhe mungesa e lustrës është mbase faji më i madh i programuesve. Edhe nëse dikush mund të pretendojë se fasada mungon me dashje, pikërisht për t’i dhënë lojës atë pamje që përputhet me ambientin rrethues, duket sikur kjo është vetëm një punë e neglizhuar nga dembelia. Kurrsesi në kontekstin më të gjerë, mangësia në fjalë, nuk prish lojën në thelb. Loja ka aq pika të forta –muzika është njëra nga këto– sa mund t’i lejojë vetes të meta edhe më të mëdha.

Shkurtimisht mund të thuhet se historia e God Hand nuk është e rëndësishme, dhe jo vetëm për këtë titull, por për të gjitha lojërat beat em’ up në përgjithësi (e mban mend ndonjëri mend historinë e dobët të Crisis Beat?). Megjithatë ngjarjet e lojës dhe personazhet e mirë analizuar, shpesh me tonet e një komedie të thjeshtë për tu kuptuar nga cilido publik, plotësojnë aksionin e dendur.

Ngjarjet zhvillohen kryesisht në një botë të ngjashme me atë të perëndimit të egër. Duke ngjarë me një film “spagheti-ëestern”, batutat janë të larmishme e ndonjëherë krejt pa lidhje. Dialogët e mirë menduar bëjnë që askush të mos bëhet më tepër i urryer sa duhet.

God Hand huazon terma –pak të njohur nga publiku i gjerë– nga feja e zoroastrizimit. Angra një demon me plot qëllime të mbrapshta, është antagonisti kryesor. Një person që posedonte fuqinë e Zotit në duart e tij, emëruar si God Hand/Dora e Zotit nga humanët e dëshpëruar, zmbraps me sukses planet e demonëve për të shfarosur njerëzimin. Angra izolohet në një dimension tjetër dhe disa vite kalojnë. Një grup njerëzish të devotshëm, zotohen për të ruajtur Duart e Zotit nga çdo kush në rast se Angra shfaqet sërish.

Klani sulmohet nga një i brendshëm i quajtur Azel, një njeri që përfton njërën dorë të Zotit duke vrarë e prerë anëtarët e klanit. Olivia është e bija nëntëmbëdhjetë vjeçare e liderit të ruajtësve të Dorës së Zotit dhe e fejuara e Azel. Arratiset së bashku me dorën tjetër të Zotit për ta ruajtur. Rastësisht ajo takon Gene/Xhinin i cili humbet dorën e tij të majtë duke u përpjekur ta ndihmojë atë. Si shpërblim Gene merr Dorën e Zotit nga Olivia e cila pretendon që ai ta përdorë atë për të ndihmuar njerëzit, që vuajnë nën zgjedhën arrogante të demonëve. Marrëdhënia e saj me personazhin kryesor të lojës është e koklavitur. Olivia (vajza që i dha personazhit kryesorë dorën e Zotit) nuk humb rast për të torturuar Gene’in e shkretë. Sa herë që Gene ankohet ose refuzon ndonjë urdhër, Olivia nxjerr një sëpatë (mos pyesni nga) dhe thotë se mund ta bëjë ajo vetë nëse ai i jep një dorë (në kuptimin e mirëfilltë të fjalës). Dy demonët e vegjël antagonistë, Elvisi dhe Shanon janë po aq qesharak në konfrontimin e tyre me heroin. Elvisi për shembull është një bullafiq i ngathët plot humor, ndërsa Shanon ka një park lojërash vetëm për vete (do ishte femra ideale po të mos ishte sadiste e regjur). Këta të dy duket sikur janë serioz vetëm kur shndërrohen në formën e tyre të vërtetë (pra në demonë të frikshëm) para se Gene t’i dërgojë andej nga kanë ardhur.

Si një beat em’ up God Hand nuk përpiqet shumë kur vjen puna te historia serioze dhe i drejtohet në mënyrë të natyrshme komedisë. Shkurtimisht mund të thuhet se historia e God Hand nuk është e rëndësishme, dhe jo vetëm për këtë titull, por për të gjitha lojërat beat em’ up në përgjithësi. Le të shikojmë disa beat em’ up për të kuptuar.
Final Fight? Xhesika rrëmbehet në Metro City si presion ndaj kryetarit të ri të bashkisë nga një bandë gangsterësh dhe gjysma e qytetit përfundon në spital më vonë. Te Streets of Rage as nuk mbahet mend se për çfarë po luftohet! E mban mend ndonjëri mend historinë e dobët të Crisis Beat për PSOne? 

Terroristët marrin në kontroll një anije ku ndodhen karateistët më të mirë në botë (rastësisht ose jo) dhe një vajzë e vogël është çelësi për një armë sekrete... ZZZzzzZZZ... Me pak fjalë edhe lojërat versus. kanë histori më të mirë-përpunuar se beat em’ up në përgjithësi.

Megjithatë, ngjarjet e lojës dhe personazhet e God Hand janë të mirë analizuar, shpesh me tonet e një komedie të thjeshtë për tu kuptuar nga cilido publik dhe plotësojnë aksionin e dendur. E gjithë loja është një komedi alla “spagheti-ëestern” si ato të Bud Spencer dhe Terence Hill. Historia ecën përpara me grushte e me shkelma. Nuk ka kompromise me demonët. 

Por skena komike ka edhe gjatë game-play’it. Duke filluar nga lëvizje karateje qesharake me përemra po aq qesharak (si për shembull Granny Smack/Shuplaka e Gjyshes). Heroi dhe lojtari shoqërohen nga një audiencë e padukshme e cila qesh, habitet e mërzitet sipas situatave. Një nga lëvizjet e roletës së karakterit në lojë (lëvizje speciale të fuqishme), përfshin uljen tipike japoneze për të kërkuar mëshirë duke ulur vështirësinë e lojës dhe duke u përqeshur nga armiku (kjo mund t’iu bëjë shumë punë në vështirësinë normale, por mungon në vështirësinë më të lartë). Nëse vëreni armiqtë në largësi, do shikoni se sa komikë janë tek kërcejnë sipas muzikës ritmike që mund të gjendet vetëm në God Hand. Oh, se mos harroj fetishizmin e demonëve ndaj Aleksandërit të Madh dhe loja ka edhe dy gorilla për tu mposhtur...
God Hand ekziston sepse udhëtimi me avion kushton shumë dhe Gene mund t’i dërgojë njerëzit fluturimthi nga një vend në tjetrin pa pagesë në një sekondë me dorën e tij të Zotit. Është një bekim për fansat e beat em’ up kudo në botë.

Comments

Popular posts from this blog

Dragon Quest VIII: Journey of the Cursed King

Final Fantasy 11

Gungrave