Fahrenheit

(2005)(njohur edhe si Indigo Prophecy)

Ekziston një lloj antipatie e imja ndaj çdo loje që kompania franceze Quantic Dream prodhon. Arsyetimi im është se drejtori i firmës David Cage ka ngatërruar industri; ai bën lojëra vetëm sepse nuk mund të prodhojë dot filma. Dhe kjo është ajo Fahrenheit është, një film i dobët i maskuar si lojë kompjuterike.

Ka vetëm dy butona në lojë, R dhe L. Njëra shërben për të ecur, sepse David Cage ndoshta harroi se PS 2 ka analogë ose thjeshtë s’iu bë vonë, ndërsa tjetri buton duhet shtypur në momentin që loja ju thotë ta shtypni. 

Dhe këtë do bëni në gjithë lojërat e Quantic Dream, pra thjeshtë do shtypni butona si bufonë kur loja t’iu jap urdhra pa ndonjë pasojë nëse nuk e bëni si duhet (duke filluar nga Nomad Soul, duke vazhduar me Heavy Rain e për të përfunduar me Beyond: Tëo Souls). Shumicën e kohës do e kaloni duke fshehur objekte e trupa nëpër vende që vetëm një detektiv i mefshtë nuk do shikonte.

Do mendonit se si një lojë aventurë aksion, do ketë shumë për të eksploruar? Gabim! Loja thjeshtë do ju imponojë një zonë dhe një lojtar të caktuar dhe ju do duhet të vazhdoni drejt pa mundur të bëni shumë. E ndoshta do mendoni tani se të paktën pika e fortë e lojës është historia të paktën. Në fillim s’do e kishit keq. Loja hapet në një Nju Jork të terrorizuar nga vrasje të lidhura me një kult. Vrasësit janë individë të thjeshtë dhe loja fton lojtarin të zbulojë arsyen. Interesi humbet andej nga fillimi i gjysmës së lojës kur historia bën një kthesë 180 gradë dhe ku aktivitete paranormale dalin në skenë pa ndonjë qëllim apo kuptim. I gjithë interesi juaj do humbasë mes broçkullave për profeci majash e budallallëqe të tilla të ngjashme.

Lojërat e Quantic Dream janë të atij lloji, që ju thjeshtë mund t’i shikoni në Youtube, pa humbur ndonjë gjë nga eksperienca që loja premton se dhuron, por që nuk e bën. Fahrenheit madje nuk di as si të tregojë një histori si është për tu treguar. Po qe se për një arsye ose tjetrën e keni anashkaluar këtë titull, bëjini një nder vetes dhe mos iu ktheni kurrë.

Në mos ka një të mirë te kjo lojë dhe kjo e mirë është që ekziston aty thjeshtë si dëshmi për larminë e llojeve gjetur në librarinë e pasur të PlayStation 2 dhe ndoshta ca pikë për ca “origjinalitet.”

Comments

Popular posts from this blog

Dragon Quest VIII: Journey of the Cursed King

Bloody Roar 4

Final Fantasy 11