Devil May Cry
(2001)
Djalli Mund të Qajë është një nga ato seritë që fillesat dhe famën e kanë marrë në PlayStation 2 dhe më pas kanë vazhduar në evoluimin e natyrshëm në platformat e tjera. Të gjithë e dinë tashmë se origjinali i lojës qe menduar për lojën Resident Evil, që më pas u zhvillua në diçka krejt tjetër kur Capcom kuptoi se ishte tepër ekstreme për universin e zombive. Çdo faqe uebi apo libër që trajton këtë titull, shkruan për këtë kuriozitet, ndaj nuk do zgjatemi më me të.
DMC ishte loja ideale për këdo i cili ndonjëherë donte thjeshtë të qëllonte e të këpuste ca mish, ndaj edhe kategoria e lojës është“hack&slash” (një tjetër emër për beat em’ up). Por nuk është futja kot, loja në fakt nuk vlerëson sesa mirë po luani, por sesa bukur ngjani ndërsa çani në dysh demonë e bos që janë si sfungjerë goditjesh për shpatën dhe pistoletën e personazhit kryesor Dante. Dhe ky i fundit do vdesë shpesh nën komandën e lojtarëve mesatar.
Universi i Devil May Cry huazon element dhe emra nga komedia hyjnore e Dante Aligierit. Ndryshe nga Dante në epopenë mesjetare italiane, personazhi jonë nuk shkon kurrë në parajsë, por vetëm në purgator dhe ferr, rrethuar nga demonë pa skrupuj që përdorin mjete nga më të ulëtat. Kështu lordi demon Mundos krijon një klon të nënës së vdekur të personazhit kryesor për ta shtënë në kurth. Arsyeja e kryetarit të demonëve nuk është thjeshtë hakmarrje ndaj babait të djaloshit, pra demonit legjendar Spardës, por edhe eliminimi i tij si pengesa e vetme për pushtimin e botës së njerëzve.
Sparda i doli kundra llojit të tij për të ndihmuar njerëzit dhe u dashurua me një të vdekshme duke pasur dy fëmijë, Danten dhe Virgjilin. Që asokohe të gjithë demonët (disa nuk e kanë aspak personale sidoqoftë tradhtinë e Spardës), janë përbetuar për hakmarrje ndaj tradhtisë së tij. Me zhdukjen e Spardës, pesha e luftës midis të mirës e të keqes i bie në supe gjysmë demonit Dante, i cili jo radhë është indiferent për motivet e mostrave; për të është e mjaftueshme që ata të kthehen nga kanë ardhur, pra në ferr.
Kloni i nënës së Dante, një femër që mund të kontrollojë elektricitetin me emrin e përshtatur Trish (kujtojmë se gruaja e vdekur e D. Aligierit quhej Beatriçe), ndërron anë dhe i bashkohet djaloshit me flokë të bardha në luftën dhe mposhtjen me sukses ndaj Mundos.
Devil May Cry nuk ka ndonjë histori të themi, po ashtu edhe titujt në vazhdim nuk do kishin ndonjë histori të komplikuar, por kjo nuk e ka penguar Danten në shndërrimin e një ikone kult në fushën e lojërave kompjuterike. Me dy pistoletat Ibony dhe Ivory dhe shpatën e tij besnike Rebellion, Dante nuk përleshet thjeshtë për jetë a vdekje, por çdo veprim kryhet me stil dhe klasë të lartë.
Nuk është një lojë për të gjithë. Ndonjëherë loja vë në provë durimin e lojtarit. Zakonisht bosët kanë një strategji të parapërcaktuar që lojtari duhet ta ndjekë në mënyrë rigoroze, në mos do shikojë energjinë e tij të bie më shpejtë se vlera e lekut në bursat ndërkombëtare. Devil May Cry është një lojë e bukur dhe me shije mund të themi së fundi.
Duke dashur t’i rikthehem edhe një herë historisë, më duhet të theksoj se edhe pse ky është titulli i parë i serisë, nga ana kronologjike, DMC 1 është e dyta në serinë e titullit. Për të qenë të sinqertë, koha e ndodhive të titujve është një lëmsh i vërtetë.
Alternativa në Xbox asokohe ishte vetëm Ninja Gaiden thonë, por unë nuk e kam luajtur këtë të fundit ndaj nuk mund ta di ose të mund të bëjë krahasime. Me aq sa kam parë, stili i lojës ngjason disi, por Ninja Gaiden nuk më ka tërhequr ndonjëherë ashtu si seria e Hideo Kamijës.
Comments
Post a Comment