Devil May Cry 3

(2005)

Loja hapet me monologun e Ledit, një personazhe e re e cila flet për legjendën e Spardës dhe se si ai doli kundra llojit të vet për të shpëtuar njerëzimin. Më pas ajo përshkruan takimin e saj me dy djemtë e Demonit Legjendar Sparda, të cilët merrnin një farë kënaqësie sadiste tek ndesheshin vazhdimisht me njëri tjetrin. Ledi vetë nuk thotë shumë për motivet e saj në përfshirjen e konfliktit. Lojtarit i duhet ta zbulojë çdo gjë gjatë lojës.

Mbas fiaskos së serisë së dytë, që sigurisht rrezikoi gjithë titujt DMC, krijuesi merr sërish në dorë kontrollin duke e futur serinë në binarë. DMC 3 do ishte një evolucion i pashembullt i një nga lojërave kompjuterike më të mira të kohës. Hack&Slash kthehet sërish në origjinë me stilin e tij të pashembullt. Sferat e gjakut ndodhen akoma aty dhe po ashtu edhe transformimi në një demon.

Rendi kronologjik i lojërave DMC është i komplikuar. Seria e tretë është faktikisht seria e parë fare, kur “dyqani” i Devil May Cry sapo është hapur për “biznes” dhe akoma i zoti s’e ka idenë si do e quajë.

Seria sjell sërish armët besnike Ivori & Eboni dhe shpatë madhështore, që kësaj radhe mund të ndërthuren midis katër stilesh të ndryshme luftimi (dy të tjera përftohen gjatë rrugëtimit). Ka disa stile luftimi por e vërteta është se lojtarët mesatar do përdorin ndoshta vetëm dy më praktikët që janë Trickster dhe Sëordmaster. Akoma nuk e kam idenë sesi luhet stili Royal Guard sidoqoftë. Me mposhtjen e bosëve, të cilët vazhdojnë të jenë ajka e një misioni të dhënë, mund të merren edhe armë të reja origjinale që shtojnë repertorin e lëvizjeve dhe opsioneve të sulmit. Në versionin ndërkombëtar, lojtari ka edhe disa misione të Virgjilit.

Fabula e thjeshtë e DMC vazhdon të frymëzohet nga Komedia Hyjnore, me ndryshimet përkatëse. Një kullë e madhe si ajo e Babilonisë shfaqet në mes të qytetit. Dante merr një ftesë nga një personazh (Arkham) që ngjan sikur ka gëlltitur okllainë që t’i bashkohet “festës” që po ndodh në këtë kullë gjigante. Menjëherë në kullë Dantes i duhet të përballet me demonë që e ndjejnë erën e Spardës te djaloshi i ri gjuhë-mprehtë.

Armiqtë më të rrezikshëm janë ama, vëllai i tij binjak i cili ndjen apati ndaj indiferencës së Dantes për të trashëguar fuqinë e pathyeshme të babait. Tjetri është pikërisht Arkham, një despot pa skrupuj, i cili po komploton sesi ta përthithë ai vetë fuqinë e Lordit të Demonëve. Ky i fundit është babai i Ledit, ajo që hap prologun e lojës, dhe i duhet gjaku i dy djemve dhe të bijës për të hapur portat e ferrit. I gjithë komploti i shkon mirë përveçse një detaji të vogël. Një person si ai as nuk mund ta përballojë dot fuqinë e babait të Dantes dhe Virgjilit. Si përfundim bosi i fundit është një formë likuide pa formë që sulmon kot më së koti. Por është dueli i dy vëllezërve, sfida e vërtet. Betejat kundra Virgjilit janë sa të bukura, po aq të vështira.

Sigurisht historia s’do funksiononte dot kurrë në mos për interpretimin e shkëlqyer të aktorëve pas personazheve digjitale. Spikat bukur interpretimi i Arkham dhe alter-egos së tij Xhester, që përkthehet si bufon, karagjoz, kloun... ose hapni më mirë fjalorin e shikojeni vetë.

Në fund të gjithë kësaj meseleje, del edhe kuptimi i titullit. Me sa duket djalli edhe mund të qajë.

Seria e tretë ndiqet denjësisht nga titulli i katërt. Ka ambivalentë mes fansave sidoqoftë për titullin në vazhdim. Disa madje e krahasojnë me Metal Gear Solid 2, pasi në të dyja titujt, ikona e serisë merr një vend dytësor ndërsa një personazh i ri i zë vendin kryesorë. Edhe pse Nero ishte një personazh goxha i arrirë me dorën e tij “Devil Bringer” dhe me transformimin në një samuraj demon, thjeshtë nuk mundi t’i bindte të tërë se ishte ai çunak personazhi kryesor. Për fat të mirë, në pjesën e dytë të lojës, Dante rikthehej sërish me një hile të re; tashmë mund të ndryshoje stilin duke ofruar opsione pa limit. Për fat të keq, seria e re që e ndoqi titullin e katërt, dështoi keq në çdo aspekt.

Titulli në fjalë nuk është perfekt. Ndonjëherë një mision mund të bëhet acarues. Ju mund të ruani një performancë perfekte gjatë gjithë misionit, vetëm për ta parë Danten të bijë në tokë i vdekur gjatë luftimit të bosit për ndonjë gabim ordiner. Loja ju ndëshkon rëndë dhe gjithçka fillon nga fillimi i misionit, në mos mund të përdorni një nga “continue” e limituara gjetur gjatë misionit ose blerë në meny. Kjo ama është ajo që i bën disa lojtarë të perfeksionojnë stilin e luftimit e të tregojnë vëmendjen që loja meriton. 

Pavarësisht këtij detaji, edhe pse kjo listë nuk ka një sistem vlerësimi me pikë, loja do meritonte 10/10 pikë.

Comments

Popular posts from this blog

Dragon Quest VIII: Journey of the Cursed King

Bloody Roar 4

Final Fantasy 11