Dark Chronicle
(2002)
Një nga lojërat e mia të preferuara të Level 5 është Jeanne D'Arc për PSP, një RPG Taktike që rimodelon historinë e heroinës franceze, por nuk duhet mohuar se kompania kishte edhe një lojë tjetër po aq të këndshme në PS 2. Dark Chronicle i paraprin një eksperimenti që nuk u kuptua për kohën. Po flasim për paraardhësen Dark Cloud dhe meqenëse kompania pati këtë idenë gjeniale për të ndryshuar emrat në zonën e Evropës, as nuk do i futem muhabetit për të shpjeguar emrat e ndryshëm. Sidoqoftë kjo lojë merrte shembull nga një lojë tjetër Jrpg si Breath of Fire 2 në Snes ku ju lejoheshit të ndërtonit fshatin tuaj duke ftuar NPC e duke e pasuruar atë. Megjithatë koncepti u ngrit shkallë më lartë duke i dhënë lojtarit goxha liri në ndërtime duke e krahasuar atë disi me Sim City.
Hero gjatë ditës nëpër bodrumet e gjeneruar rastësisht, dhe punëtor i devotshëm i komunizmit gjatë natës.
Me pak fjalë ju duhej të shkonit në një vend të caktuar e të luftonit përbindësha sipas stilit Jrpg, dhe më pas pjesët e gjetura atje ju ndihmonin që të zhvillonit fshatra të tërë. E kuptueshme që kjo është një nga ato lojërat që vjedh orë e orë të tëra nga lojtari, pa pasur ndonjë fund në horizont. Nga fshati më pas kalonit në ndërtime qytetesh e kështu me radhë.
Ashtu si edhe loja e parë, edhe loja e dytë e çuditi publikun pavarësisht gjithë përmirësimeve që ishin bërë në këtë seri të dytë. Askush nuk e ndau vizionin e ndritur të kompanisë Level 5 dhe me të drejtë mund të themi.
Loja jo vetëm që përziente zhanre të ndryshëm, por për më tepër kishte shumë mini-game që nuk qëndronin mirë në lojë. Grafikët me hije (shikoni Street Fighter vs. Tekken ose The Darkness ose Modern Warfare: Black Ops.), gjithashtu nuk ishin tepër të mirëpritura për kohën. Ndërkohë që lojëra si Disgaea: Hour of Darkness ose Final Fantasy 12 ofronin formula të thjeshta me fokus vetëm në luftim, Kronika e Errët futej në qorrsokakë të shumtë me komplikimet e opsioneve të shumta. Me pak fjalë loja ishte gjeniale, por ishte pak herët për të dhe ndoshta në platformën e gabuar; eksperimentet jo gjithmonë janë pritur mirë nga fansat.
Comments
Post a Comment