Silent Hill 2

(2001)

Është seria e dytë e titujve Silent Hill zhvilluar nga “The Silent Team” si pjesë përbërëse e kompanisë Konami, publikuar më 23 shtator 2001 për PS2 dhe më vonë do të vinte edhe versioni për PC. Është ndër lojërat kompjuterike më të frikshme të publikuara ndonjëherë dhe mbase kulmi i elegancës gjendur në një histori horrori. Ndërkohë që seria Resident Evil kthehej ngadalë në një lojë aksioni, Konami përpiqej të pasuronte serinë e saj të famshme Silent Hill me më shumë elementë të frikshëm e të dhunshëm. 

Në serinë e parë fare për PSOne, kishte kudo mjegull (sipas disave kjo ishte justifikimi i Konamit për grafikat e dobëta të lojës), dhe rrugët e botës konkrete dhe asaj alternative mbusheshin nga lloj e lloj krijesash të frikshme. Përbindëshat lëshonin disa tinguj që të kallnin datën. Të gjithë lojtarët e serisë, padyshim i mbajnë mend skenat e spitaleve rrëqethëse, ku infermieret e shpërfytyruar të sulmonin nga çdo anë në mes të errësirës. Muret kudo mbusheshin me gjak. Megjithatë vetëm kur doli seria e dytë e këtij titulli u pa dhuna psikike, vizuale e në veprimet e lojës së serisë.

Ajo që dëgjohet rëndom për Silent Hill 2, është fjalia se loja luan me mendjen e lojtarit duke e ngatërruar keq fare dhe është më se e vërtetë. Titulli i dytë i serisë nuk abuzon me elementët e frikshëm si mund të jetë dalja e papritur e ndonjë përbindëshi nga nuk e pret. Në të kundërt, loja krijon atmosferën më të rëndë me anë të ambienteve klaustrofobike, muzikës dhe zërave që dëgjohen çdo moment dhe historinë, një nga pikat më të forta të lojës. Janë këto tema që mblidhen për të dhënë një lojë të përsosur, jo vetëm në kategorinë e vet, por edhe gjetkë.

Akoma sot përsëritet pak a shumë pyetja se pse Silent Hill 2 është loja me historinë më të bukur. Për ta shpjeguar këtë, historia e kësaj loje duhet parë mbrapsht. Duhet filluar nga fundi për të dalë në fillim. Për ta bërë këtë duhen vlerësuar tre fundet e lojës (plus një shtesë pa shumë lidhje). Fundet në lojë nuk përftohen duke zgjedhur A, B ose C, por me anë të veprimeve gjatë të luajturit dhe ndonjëherë lojtari as nuk e kupton se po bën ndonjë zgjedhje sidoqoftë.

Ka një keqkuptim kur vjen puna te përbindëshat e Silent Hill. Vajza e vogël është e vetmja që nuk mund t’i shikojë përbindëshat akoma, sepse ajo është e pafajshme. Në fakt, e pafajshme është gjithashtu edhe ajo gruaja e abuzuar nga i ati, por edhe ajo ndodhet në të njëjtën agoni si banorët e tjerë të qytezës. Ideja është se fëmija, si të gjithë fëmijët të cilët s’janë psikopat, nuk ka zhvilluar akoma egon. Mosha e re nuk e lejon. E ndërsa ajo shëtit e qetë në atë vend, të gjithë të tjerët duhet të përballen me përbindëshat e subkonshiencës së tyre.

E në fund, meqë loja është për lojtarin, ky i fundit lihet në mëdyshjen nëse edhe ky i fundit ka ndonjë skelet në sirtar të fshehur diku. Jo? Pa merak, ego do i mbajë të fshehura ato përgjithmonë, të paktën për aq kohë sa nuk vizitoni qytetin e Kodrave të Heshtura.

Comments

Popular posts from this blog

Tekken 5