Mister Mosquito

(2001 në Japoni)(2002 në SHBA dhe Evropë)

Zoti Mushkonja. Nëse kishit ndonjëherë ndonjë dëshirë të fshehtë për të kuptuar sesi ndjehet një mushkonjë, kjo është fiks loja që bën për ju. Ndoshta simulatori i vetëm i mushkonjave në historinë e lojërave kompjuterike. Rezulton që të jesh një mushkonjë gjakpirëse nuk është punë e lehtë. Ekziston gjithmonë rreziku që mund të palosesh dhe asnjë agjenci sigurimesh nuk të merr përsipër pastaj.

Zhvilluesit e kësaj loje njihen për idetë e tyre jashtë normales. Kompania japoneze Skip Ltd. ka prodhuar tipa të ngjashëm lojërash si Toy Commander dhe Chibi Robo, që pozicionojnë heronj të pazakontë në situata tepër të pazakonshme. Mister Mosquito është një prej tyre.

Përpjekja e mushkonjës tonë, ka të bëjë me gjetjen e vendit të saktë për të ngulur agën, të ruhet gjithnjë për vetëdijen e viktimës dhe të bëjë një punë të mirë si Solid Snake (Metal Gear) ose Rikimaru (Tenchu). Me anë të analogëve, duhet të mbani një rreth në zonën blu të termometrit poshtë në të majtën e ekranit. Nëse dështoni, keni disa mundësi të tjera për ta provuar sërish, dhe me komanda tepër fluide, të provosh është gjithmonë një kënaqësi.

Historia është aq e thjeshtë sa më s’bëhet. Viktimat tuaja janë anëtarë të një familjeje tipike japoneze. Ata mendojnë për insektin e bezdisshëm më pak sesa vetë mushkonja mendon për ta. Për lojtarin ata janë një burim që duhen thithur, ndërsa për inteligjencën artificiale lojtari është një bezdi që duhet eliminuar.

Si përfundim mund të përmendim një kuriozitet për familjen Culicidae në lidhje me titullin në fjalë. Me gati dymijë lloje mushkonjash në botë, janë femrat ato që në vërtetë merren me ekstraktin e gjakut. Nëse shikoni një mushkonjë në krah, që po thith gjak për shtatë palë qejf, padyshim ajo është një femër. Ndaj ndoshta titulli duhet të ishte Zonja Mushkonjë dhe Zotëria Mushkonjë. Megjithatë mes dymijë llojeve, ndoshta ka edhe ndonjë hermafrodit mes tyre; ku i dihet. Ose thjeshtë përkthyesit e anglishtes e kanë keqkuptuar.

Comments

Popular posts from this blog

Tekken 5