Beyond Good And Evil

(2003)

Gati në të gjitha listat për lojërat kompjuterike që nuk janë vlerësuar ashtu si duhet, përmenden dy tituj. Njëra është padyshim Ico. Tjetra është pikërisht ky titull që po trajtojmë në këtë qoshe të katalogut.
Kërkimi tjetër në Google flet për një seri të dytë që ka kaluar faza të ndryshme zhvillimi por deri më 2018 nuk ka as nam, as nishan, pavarësisht filmimeve që Ubisoft nxjerr vazhdimisht për të torturuar shpirtrat e fansave të pakët e të devotshëm të serisë. Këta të fundit me zor po e presin vazhdimin e një nga lojërave (sipas tyre) më të nënvlerësuara ndonjëherë.

Loja do dilte në gjitha platformat e mundshme dhe në të gjitha do kishte shitje tepër të dobëta. Sipas disa thashethemeve, versioni për PC do shitej në Amerikën Veriore si suplement për produkte të tjera. Blini një X produkt, dhe falas merrnit CDnë e Beyond Good And Evil, që besoj se përkthehet "Përtej të Mirës Dhe të Keqes." Titulli nuk kishte asnjë kuptim gjithsesi sepse nuk është se loja ofronte ndonjë dilemë morale.

DomZ janë alien të këqij që trazojnë jetën e planetit minierë të Hillis. Ju komandoni një foto-reportere me emrin Jade, e cila mendohet se është njeri por në fund fare na del se nuk është në të vërtet njeri. Ju duhet të drejtoni Jade në një luftë kundra DomZ me ndihmën e një aleance galaktike që nuk iu hyn shumë në ndihmë. Miku juaj më i ngushtë është derr dhe ju duhet t'i mbushni mendjen banorëve të Hillis që të ngrihen kundra armiqve. Në kohën e lirë mund të fotografoni edhe faunën e egër lokale.

As historia dhe as aksioni nuk janë pika e fortë e lojës. Në fakt loja nuk është edhe aq e nënvlerësuar sa pretendojnë disa, por në të vërtet nuk është edhe aq e arrirë. Sigurisht që atmosfera dhe ambientet e veçojnë nga shumë tituj të të njëjtit lloj, por kjo nuk mjafton për ta bërë një lojë të pëlqyeshme. Jo të gjithëve i pëlqejnë krijesat antropomorfe si ato të prezantuara në lojë. 

Mua vetë nuk më ka pëlqyer aspak ky titull dhe nuk ngjalli ndonjë kuriozitet të madh. Qytet e stilit evropiano-perëndimor janë të bukur dhe personazhet gjithashtu janë të këndshëm, megjithatë në fund nuk është se kjo kompensonte aksionin komik apo historinë e thjeshtë. 
Beyond Good And Evil nuk është një nga titujt më të mirë publikuar nga Ubisoft, por është një titull i veçantë sidoqoftë që ka gjithë elementët e një loje të suksesshme kompjuterike. 

Krijuesi i Rayman, Mikel Ancel është i zoti në punën e tij, dhe le të themi se me këtë titull nuk pati aspak fat.
Në fund nëse kjo lojë ju ka pëlqyer e doni diçka më tepër, mund të luani Okami, lojë e cila ndjek pak a shumë të njëjtat premisa. Dhe anasjellas. Nëse asnjë nga këto lojëra nuk kënaq ekuacionin, keni gjithmonë disa nga seritë e Legjendës së Zeldës.

Comments

Popular posts from this blog

Tekken 5